Superliga shqiptare e futbollit do hapë ditën e sotme javën e 25-të të këtij edicioni. Ky raund do luhet sot edhe nesër, ku që në orën 13:00 të ditës së sotme do ketë dy sfida shumë interesante. Kështu Kastrioti do presë Teutën në Kamëz. Ndoshta “treni i fundit” për krutanët që janë zhytur në fundin e renditjes.

Nga ana tjetër durrsakët që tashmë pas largimit nga pjesa e fundit e tabelës kanë ambicie të tjera. E patjetër një duel i gjithi për tu shijuar ky mes Kastiotit dhe Teutës.

Dueli ndoshta më interesant i ditës është ai mes Kukësit dhe Bylis. Një ndeshje direkte për mbijetesën në Superiore. Kuksianët në kuotën e 31 pikëve e ndërsa mallakastriotët në atë të 27 të tillave.

Takim ku një sukses i verilindorëve largon “fantazmat” e rënies nga kategoria e nga ana tjetër një sukses i Bylis do rihapte gjithçka në fundin e tabelës. Një ndeshje tjetër që do luhet sot do jetë ajo e orës 16:00, ku përballë janë surprizat e këtij edicioni, Erzeni dhe Egnatia.

Shijakasit një ekip shumë simpatik do kërkojnë fitoren në shtëpi kundër rrogozhinasve që tashmë janë në vendin e tretë. Java e 25-të e Superiores do kompletohet nesër ku do jetë supersfida, Vllaznia-Partizani. E po ashtu ndeshja Tirana-Laçi në kryeqytet. Dy duele që luhen për titullin dhe zonat e larta rë renditjes në kampionat.
Endri ÇINARI