Mbrëmë u luajtën edhe ndeshjet e para të turit të tretë kualifikues të Conference League. Një nga çiftet që ishin përballë njëri-tjetrit ishin edhe Slavia Pragë me Panathinaikos. Dueli i zhvilluar në kryeqytetin e Çekisë shikoi si fitues vendasit me rezultatin e pastër 2-0.
Me Slavian aktivizohet prej disa sezonesh edhe ish-sulmuesi i Skënderbeut në Shqipëri, Peter Olayinka. Ku nigeriani është shndërruar në lojtarët kryesorë të çekëve.
Por ajo që ra në sy tek Panathinaikos dhe më konkretisht në stolin e jeshilëve ishte prania e Leandro Frrokut. 18-vjeçari me origjinë nga Puka ishte i grumbulluar me ekipin e parë në një ndeshje europiane.
Frroku i cili aktivizohet në rolin e mesfushorit para mbrojtjes është një prodhim i akademisë së Panathinaikos. Ku gjithashtu është pjesë e skuadrës së dytë dhe mbrëmë ka pasur kënaqësinë të jetë pjesë e skuadrës legjendare greke.
Për Frrokun pritshmëritë në të ardhmen janë të mëdha dhe prandaj ai është thirrur të jetë pjesë e ekipit të parë. Në nivel kombëtaresh ai ka përfaqësuar Shqipërinë që nga mosha u-15 deri në atë u-19 për momentin.
Endri ÇINARI