Nga Endri ÇINARI

Vllaznia e mbylli gjysmën e parë të sezonit në Superiore në vendin e 3-të. Shkodranët pas 19 javësh të zhvilluara në elitën e futbollit tonë për edicionin 2024-25 kanë grumbulluar 31 pikë. Duke qenë kështu pjesë e top katërshes dhe totalisht brenda objektivit sezonal. Për të tentuar më pas titullin kampion në dy ndeshjet “play off” të “final 4”.

Por statistikat e shkodranëve përballë skuadrave që kryesojnë kampionatin nuk janë edhe aq pozitive. Nga 7 ndeshje të zhvilluara kundër Dinamos, Partizanit dhe Egnatias, kuqeblutë kanë marrë vetëm 8 pikë nga 21 të mundshme. Duke nisur nga dy përballjet me Dinamon deri më tani, ku skuadra e Brdariç nuk ka grumbulluar asnjë pikë. Me blutë që janë i vetmi ekip të cilëve shkodranët nuk kanë mundur t’i marrin qoftë një pikë këtë edicion.

Kjo pasi në përballjet ndaj “nëndetëses” llogariten 2 disfata në shifrat 2-1 në Elbasan dhe 2-3 në Shkodër. Shkodranët “përmirësojnë” disi statistikat në përballjet me Partizanin. Ku ndaj “demave” janë përballur 3 herë deri më tani dhe bilanci është i barabartë. Me një sukses 0-1 të kuqebluve në Tiranë, barazim 2-2 në Shkodër dhe një fitore të kryeqytetasve në shifrat 2-0 në javën e 19-të të kampionatit.

Skuadra e vetme nga 4 kryesueset me të cilët 9 herë kampionët e vendit kanë statistika pozitive është Egnatia. Kundër rrogozhinavse, Vllaznia ka triumfuar 3-1 në fazën e parë e ndërsa ka ndarë pikët në Rrogozhinë falë barazimit 1-1 në fazën e dytë. Nga 7 ndeshjet me ekipet e kreut, Vllaznia numëron 2 fitore, 2 barazime dhe 3 disfata deri në këtë pikë të edicionit./www.shkodrasport.com/