Nga Endri ÇINARI

Ndeshja e fundit për sezonin e rregullt të Superiores jashtë fushe për ekipin e Vllaznisë do jetë ajo kundër Elbasanit. Të besuarit e Brdariç udhëtojnë të shtunën në kuadër të javës së 35-të të kampionatit, për tu përballur me verdheblutë në një duel që pritet mjaft interesant. Duke qenë se të dy skuadrat kanë pretendime serioze për objektivat që mbartin.

Statistikat e këtij sezoni tregojnë se kuqeblutë nuk vuajnë aspak në ndeshjet jashtë “Loro Boriçit”. Kjo sepse kuqeblutë janë ekipi i dytë më i mirë në kampionat përsa i përket transfertave. Kuqeblutë kanë grumbulluar 23 pikë nga 17 ndeshje të zhvilluara jashtë fushe këtë edicion. Ku ka shënuar 23 gola dhe pësuar 21 të tillë.

Më mirë se 9 herë kampionët e vendit ka bërë vetëm Egantia. Me rrogozhinasit që kanë grumbulluar 25 pikë në 17 ndeshje të zhvilluara, duke shënuar 21 gola e duke pësuar 15 të tillë. Shifrat e Vllaznisë po ashtu tregojnë një ecuri pozitive për shkodranët për vitin 2025. Skuadra e Brdariç ka vetëm një humbje në sfidat e zhvilluara jashtë Shkodrës duke nisur nga fillimi i janarit.

Disfata e vetme erdhi para dy javësh, në kuadër të raundit të 33-të kundër Bylis në shifrat 1-0. Gjatë këtij viti Vllaznia numëron 4 barazime në ndeshjet jashtë fushës së saj , Dinamo-Vllaznia (0-0), Laçi-Vllaznia (2-2), Tirana-Vllaznia (0-0) dhe Egnatia – Vllaznia (2-2). E ndërsa shkodranët numërojnë edhe 2 fitore në transferta gjatë vitit 2025 në kampionat Teuta-Vllaznia (1-3) dhe Skënderbeu-Vllaznia (1-4)./www.shkodrasport.com/