Naser Al Khelaifi është i fiksuar për të rinovuar kontratën e Kilië Mbapesë. Në Madrid janë shumë të qetë dhe presin të ardhmen e sulmuesit francez, pasi e dinë që herët a vonë ai do të luajë në “Santiago Bernabeu”. Klubi nga Parisi është duke bërë gjithçka për ta bindur që të rinovojë dhe po i jep në tavolinë disa oferta të ndryshme.
Në orët e fundit janë zbardhur disa shifra që sheiku nga Katari kërkon t’i ofrojë kampionit të botës në mënyrë që të ndryshojë mendje.
“LeSport” ka zbuluar se Al Khelaifi është gati t’i ofrojë 36 milionë euro në sezon, çka do ta bënte më të paguarin e skuadrës. Por, duket se Mbape do ta refuzojë, sepse në mendjen e tij është vetëm Reali i Madridit dhe nuk po heziton të firmosë për para.
Mbape ka kërkuar një takim urgjent me presidentin dhe ai do të ndodhë gjatë këtyre ditëve. Lojtari do t’i thotë se nuk ka ndërmend që të rinovojë dhe duhet të nisin bisedimet me Realin e Madridit në mënyrë që të largohet brenda 31 gushtit. Në Paris nuk është aspak komod, edhe pse u transferua Leo Mesi.
Jemi duke folur për një lojtar që dëshironte të ishte lideri i projektit sportiv, por tani kalon në plan të dytë apo të tretë për shkak të prezencës së Nejmarit dhe Mesit. Por, Al Khelaifi është nga ata që nuk i shet yjet dhe mund ta mbajë në skuadër deri në fundin e sezonit. Kështu, Mbape do të largohet si futbollist i lirë drejt Realit të Madridit për të luajtur në “Santiago Bernabeu”-n e ri.