Pjesëmarrja në Kupat e Europës për sezonin 2018-2019 për klubet shqiptare, është më e dobëta në 5 vitet e fundit. Bilanci prej 1 fitoreje,
3 barazimesh dhe 6 humbjesh në 10 ndeshjet e luajtura deri tani në arenën ndërkombëtare, kanë bërë që koeficienti i Shqipërisë të jete tejet i ulët për këtë sezon në renditjen e UEFA-s.
Kësisoj, rezulton që sipas sistemit të UEFA-s, klubet shqiptare të kenë mbledhur në total 0,750 pikë, edhe më pak se edicioni 2014-2015 që mbante rekordin negativ për pesëvjeçarin e fundit,
i cili është ai që merret në konsideratë nga ndërkombëtarët për ndarjen në vazo gjatë shortit apo për të përcaktuar se sa skuadra marrin pjesë nga çdo vend në turnetë ndërkombëtarë.
Në sezonin 2014-2015, klubet shqiptare së bashku regjistruan koeficientin 0,875 pikë. Një vit më vonë, me kalimin për herë të parë të Skënderbeut në grupet e Ligës së Europës, koeficienti i Shqipërisë shkoi 2,125 për atë edicion, një rekord.
Sezoni 2016-2017, ai ku Skënderbeu u përjashtua nga UEFA për herë të parë, pa kthimin te koeficienti 0,875 nga skuadrat shqiptare, ndërsa vjet u shënua një tjetër rekord me shifrën 2,625, pas përsëritjes së një pjesëmarrje të suksesshme të Skënderbeut në Europë.
Mungesa e korçarëve në këtë edicion ka kthyer përsëri “krizën” dhe nëse Laçi apo Kukësi nuk dhurojnë rezultate pozitive në ndeshjet e mbetura të tyre (Kukësi do të luajë edhe në Ligën e Europës nëse eliminohet nga Liga e Kampioneve), atëherë Shqipëria rrezikon të regjistrojë një vit shumë të dobët e të humbasë pozicione në renditjen ndërkombëtare.
Koeficienti 0,750 është i 45-ti në renditjen e këtij sezoni, por duhet llogaritur se vende si Austria, Zvicra, Greqia e Holanda të cilat renditen poshtë nesh aktualisht për këtë edicion, kanë ende nga 5 skuadra në garë dhe me shumë mundësi do të kalojnë shumë shpejt Shqipërinë.
Pasojat e një vazhdimësie të tillë mund të bëjnë që Shqipëria të rrëshqasë në renditjen e UEFA-s dhe klubet shqiptare të fillojnë të luajnë në turet paraeliminatorë, si skuadrat kosovare. /vipsport/