Java e tetë e kampionatit të kategorisë Superiore për grupmoshën U19 ka dhuruar ballafaqimin Internacional- AAS i cili do të luhet ditën e dielë në Pezë- Helmes. Ekipi shkodran që drejtohet nga trajneri Haris Lika e ka nisur me jo pak probleme sezonin dhe sikur të mos mjaftonin ato, për ndeshjen e rradhës do të ketë plot 5 lojtarë të skualifikuar.

Në ndeshjen e kaluar në Shkodër ndaj Laçit që u mbyll në barazim 2-2, ku golat për AAS u shënuan nga Paulo Pjeshka dhe Gerti Suka, nuk kanë munguar edhe problemet dhe në fundin e takimit futbollisti Sidrit Zylja u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht edhe të kuqin, çka do të thotë se ky lojtar do të mungojë në ndeshjen e rradhës.

Përveç tij në fundin e ndeshjes futbollisti tjetër Enrisko Bregu u ndëshkua me karton të verdhë, që ishte i katërti për të dhe për pasojë do të mungojë edhe ai ndaj Internacional. Të dy këta futbollistë do t’i bashkohet treshes Arif Amuli, Klejdi Paloka dhe Rezart Çoku që janë pezulluar nga Komisioni i Disiplinës pas problemeve në ndeshjen e luajtur në Durrës ndaj Shkëndisë dy javë më parë.

Mungesa e këtyre lojtarëve padyshim që ka ndikimin e vet sepse janë baza e ekipit. Kjo u vërejt edhe në takimin e fundit ndaj Laçit ky ndonëse AAS U19 e mbylli pjesën e parë në avantazhin 2-0, në të dytën pësoi dy gola dhe i gjithë takimi u mbyll në barazim.

AAS ndodhet aktualisht në vendin e parafundit në renditje, me 5 pikë të grumbulluara, po aq sa edhe Vllaznia por me golaverazh më të dobët. Objektivi padyshim që është ngjitja më lart në renditje, por pikësëpari trajneri Lika pret që t’i rikthehen lojtarët e pezulluar sepse pa to në fushë, gjërat janë shumë të vështira.
© shkodrasport.com