Xhani De Biazi kthehet përsëri në Shqipëri dhe shkak për këtë bëhet lufta që ka shpërthyer mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Situata mes dy vendeve ka kthyer konfliktin e armatosur për rajonin e Nagorni Karabak dhe për këtë arsye, UEFA ka vendosur që ndeshjen e kombëtareve të vendeve përkatëse të zhvendosen në fushë neutrale.

Azerbajxhani, i cili drejtohet prej pak më shumë se një muaji nga De Biazi, luante në shtëpi ndeshjen e 13 tetorit ndaj Qipros. UEFA ka vendosur që për këtë sfidë, De Biazi të kthehet në “shtëpinë e dytë” të tij, duke zyrtarizuar zhvillimin e takimit në fjalë në Shqipëri.

Sfida pritet të luhet në “Elbasan Arena”, stadium ku De Biazi ka kujtime shumë të mira pasi aty u gatua suksesi më i madh i karrierës së tij, kualifikimi historik i kuqezinjve në Euro 2016.

Pas dy ndeshjeve të para, Azerbajxhani ka 3 pikë me një humbje përballë :Luksemburgut 1-2 dhe një fitore ndaj Qipros me shifrat 1-0. /vipsport/