Nga Maringlen ZHIVANI
Futbollisti brazilian Victor Da Silva nuk ka arritur dot të firmosë as tek Shkëndija e Tetovës. Të paktën kështu informon media maqedonase “infosport.mk”.
Lojtari nuk do të jetë pjesë e skuadrës tetovare për pjesën e mbetur të sezonit dhe duket se arsyet që kanë çuar në mos firmosjen e kontratës janë të njëjta me ato që ishin te Vllaznia, problemet shëndetësore të brazilianit.
“Infosport.mk” shkruan se Da Silva nuk ka arritur të kalojë testet mjekësore, ashtu siç ndodhi edhe te Vllaznia, gjë kjo që u paralajmërua edhe nga “Shkodra Sport” mbrëmjen e djeshme.
Nga ajo çfarë u konstatua, në një prej klinikave të qytetit të Shkodrës, braziliani kishte shfaqur disa probleme me ligamentin dhe meniskun.
Pikërisht, nisur nga këto probleme të shfaqura, si drejtuesit e Vllaznisë, ashtu edhe drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës duket se kanë hezituar të firmosin kontratën me Victor Da Silven. Tashmë, duhet parë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e fantazistit brazilian./www.shkodrasport.com/