Foxhia do ta nisë kampionatin e ardhshëm të Serisë B italiane me 15 pikë minus në renditje. Do t’i duhet një mrekulli e vërtetë, do të jetë shumë e vështirë mbijetesa me një minus kaq të madh, edhe pse do të ketë apel dhe ndonjë pikë nga penalizimi mund të hiqet.
Gjykata Federale Kombëtare në Itali ka dënuar klubin puljez për shkak se në sezonet 2015-2016 e 2016-2017 kishte përdorur shuma të mëdha për të paguar lojtarët, duke përfshirë premio për ngjitjen në Serinë B, por të gjitha shifrat e paguara nuk ishin deklaruar dhe vinin nga aktivitete të paligjshme.
Nuk e ka pësuar vetëm klubi, sepse nën akuzë ishin edhe drejtues e futbollistë.
Në listën e të dënuarve është edhe trajneri Roberto De Zerbi, i cili drejtonte Foxhian dhe paguhej në të zezë. De Zerbi, tashmë trajner i Sasuolos, është pezulluar për tre muaj.