Vllaznia arriti një fitore me shumë vlera në javën e 5-të të Superiores. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin 1-0 kundër Kastriotit, duke shkuar kështu disi më të qetë në pushimet e kombëtareve. Ishte një gol i Ardit Hoxhajt që në sekondat e para të takimit që vendosi gjithçka kundër krutanëve.

Por për herë të parë në këtë sezon, shkodranët nuk pësuan gol. Prapavija që përbëhej në këtë raund nga Gurishta-Juriç-Shehi-Hakaj dhe në portë Zogoviç, mbajtën kuotën zero në portën e tyre. Kjo ishte e hera e parë në sezonin 2022-23, pasi edhe në fitoret kundër Tiranës dhe Kukësit, ekipi kishte pësuar gol.

E po ashtu humbjet kundër Erzenit dhe Egnatias treguan që prapavija ishte e brishtë. Ndoshta nga këtu mund të niset skuadra në rikthimin e kampionatit. Ku një mbrojtje e fortë dhe që nuk pëson garanton për suksese dhe vazhdimësi.

Patjetër që puna është ende e madhe për tu bërë. Pasi Vllaznia është një nga ekipet që ka pësuar më shumë gola në këtë fillim sezoni, me plot 6 të tillë. Tashmë kjo ndeshje e fundit kundër Kastriotit mund të jetë një pikënisje tjetër për kampionatin që do jetë shumë i ngjeshur në kalendar në muajt në vijimi.

Endri ÇINARI