Futbolli në pamje të parë është një lojë argëtuese por nuk janë të pakta rastet tragjike. Një i tillë mund të kishte ndodhur edhe sot në Kamëz por falë ndërhyrjes së shpejtë të fizioterapistit të Vllaznisë Alban Smajli, gjithçka është normalizuar. Ka ndodhur përpara fillimit të ndeshjes së kupës në mes Vllaznisë dhe Partizanit. Pikërisht gjatë nxemjes, një nga futbollistët shkodranë- Gerald Mehja është rrëzuar në mënyrë të papritur në tokë.
Ai ka humbur jo vetëm ndjenjat por i ka ikur edhe gjuha dhe kjo ka krijuar një situatë kaosi tek shokët e ekipit, stafi teknik dhe gjithë të pranishmit. Por, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të fizioterapistit Smajli, ai ka arritur ta normalizojë brenda pak minutash gjendjen e lojtarit.
Më pas, ai është dërguar në një nga spitalet e Tiranës për një kontroll të përgjithshëm dhe gjithçka ka qenë OK. Thonë pastaj se në futboll nuk është e nevojshme prania e mjekëve. Sot mund të kishte ndodhur një tragjedi, por për fat të mirë ajo është neutralizuar. Për këtë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse t’i themi: Faleminderit Alban Smajli!
© shkodrasport.com