Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka hyrë tashmë në një fazë shumë interesante. Këtë fundjavë nis faza e dytë e tij dhe ajo nis pikërisht me një supersfidë, atë Vllaznia- Tirana që do të luhet të shtunën në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit tonë. Kuptohet që bardheblutë nisur nga merkatoja që kanë zhvilluar, konsiderohen pretendentët kryesorë për fitimin e titullit kampion megjithatë edhe kampionët në fuqi të vendit, kuqeblutë, nuk do heqin dorë kollaj nga pretendimet e tyre. Këtë e thotë njëri prej lojtarëve më të mirë të këtij ekipi Gjon Ndoja.

Duke folur për gazetën www.shkodrasport.com ai ka thënë: “Vllaznia duhet pranuar se nuk i ka bërë një nisje të mirë kampionatit duke patur disa oshilacione megjithatë me kalimin e javëve gjërat filluan të rregullohen por kemi ende punë. Janë disa gabime që duhen rregulluar dhe mendoj se do ia dalim. Ndaj Tiranës është shumë e vështirë por ne do të tentojmë. I bëjmë thirrje edhe tifozëve të vijnë e të na mbështesin sepse pa to, nuk arrijmë të dalim në lojën tonë. I garantoj tifozët se ne si sportistë do të japim maksimumin të shtunën për të tentuar marrjen e fitores, por e përsërish, që nuk do të jetë e lehtë”.
© shkodrasport.com