Në ndeshjen e fundit ndaj Teutës ka qenë lojtari më i mirë i ndeshjes. Jo vetëm se ka shënuar më shumë pikë nga të gjithë- plot 25, por edhe se ka bërë gjithçka mirë. E kemi fjalën për Gjon Ndojën, një nga pikat më të forta të Vllaznisë. Duke folur për shkodrasport.com në lidhje me paraqitjen e tij të fundit, ai do të shprehej:
“Jam shumë i kënaqur që ia arrita të kthehem në formën time më të mirë. Kuptohet që nuk ka qenë e lehtë. Në fundin e sezonit të kaluar siç e dini pata dëmtuar kaviljen dhe kjo më krijoi jo pak probleme. Gjithë verës nuk kam bërë një ditë të vetme pushim sepse doja të rikthehesha sa më parë në formën e duhur dhe besoj se tashmë jam aty ky duhet pavarësisht se asnjëherë nuk duhet të kënaqem por të kërkoj sërish më të mirën”.Duke vazhduar të flasë edhe më tej për takimin e fundit të fituar me Teutën, Ndoja do të shtonte: “Ka qenë një ndeshje përgjithësisht e mirë ku përveç titullarëve janë dalluar edhe basketbollistët e rinj, në veçanti Antonio Shabani por nuk dua të lë pa përmendur edhe dy vëllezërit Lekndreaj, Dodën dhe Danielin e po ashtu edhe dy 17 vjeçarët, Rrashketën e Bardullën. Janë elementë që kanë të dhëna dhe në të ardhmen me siguri që do të jenë lojtarë të rëndësishëm për Vllazninë”. Pas tre javëve të para të kampionatit, Vllaznia udhëheq e vetme renditjen megjithatë Gjon Ndoja nuk ka dëshirë të nxitohet në parashikimet e tij për të ardhmen. “Kemi bërë gjëra të mira në këto tre ndeshjet e para dhe jo më kot jemi në vend të parë. Ndoshta kemi dhënë më shumë nga sa e mendonim realisht në nisje të tij duke parë që nuk do kishim asnjë basketbollist të huaj në rradhët tona, por me përkushtimin e të gjithë djemve treguam se mund të luajmë edhe pa to. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë për të dalë kampion megjithatë dy sfidat e ardhshme në kryeqytet me Tiranën dhe Kamzën do të tregojnë gjendjen tonë reale. E sigurtë është që Vllaznia edhe pa të huaj nëse luan deri në fund kështu, do të tentojë fitimin e titullit kampion edhe sivjet”- ka thënë lojtari shtatëlartë i kuqebluve. Në fund sigurisht që Ndoja kërkon më shumë mbështetje nga Bashkia dhe klubi Vllaznia sepse një ekip kampion meriton më shumë vëmendje e në fakt, kjo nuk i ka ndodhur atij këtë sezon.
Gjergj KOLA