Pika në Ballsh vlen shumë në aspektin moral për krutanët dhe këtë e thotë edhe trajneri Ramazan Ndreu, ndërsa vëmendja fill pas sfidës së “Adush Muçës” është e përqendruar te takimi shtëpiak me Kukësin.

Në një prononcim për mediat, trajneri Ramazan Ndreu, që bashkë me skuadrën, sot u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve ka pohuar: “E vlerësuam ndeshjen në Ballsh dhe morëm një pikë, duke ditur se edhe kundërshtari që u kthye në rival në javët e fundit kishte nevojë për fitore.

Sa i përket ndeshjes me Kukësin, unë them që është shumë e vështirë. Kukësin të mos e shohim nga tabela, por nga kualitetet që ka në gjirin e vet. E kemi vlerësuar si ndeshje, ndaj edhe dua 3 pikët në këtë ndeshje delikate”.

Lidhur me të ardhmen dhe nëse mund Kukësin, ku e sheh Kastriotin, Ndreu shtoi se: “Nuk mund të bëj parashikime, sepse kemi edhe 10 ndeshje dhe janë shumë pikë në lojë. Gara është në një fazë kulminante dhe ne duhet që të bëjmë sa më pak gabime. Por, një 3-pikësh me Kukësin na ndihmon shumë në synimet që ne kemi”, – tha Ndreu në prag të sfidës me kuksianët.

Ndërkohë, për këtë ndeshje, Ndreu do të ketë Shkallën që rikthehet pas pezullimit dhe në dyshim ende sulmuesi dhe një nga më të mirët braziliaani Da Silva./Vipsport/