Kastrioti në javët e fundit ka qenë një skuadër që ka pasur oshilacione, në lojë dhe rezultate, ndërsa para ndeshjes me Partiznain, krutanët vijnë pas një disfate në fushën e tyre me skuadrën e Kukësit.
Trajneri Ramazan Ndreu, është optimist dhe në prag të sfidës me të kuqtë beson te një rezultat pozitiv. Ndreu ka pohuar për mediat në prag të sfiës me të kuqtë, se: “Në ndeshjen me Partizanin na del për detyrë të jemi të kujdesshëm, pasi kemi përballë një kundërshtar që është ndër më të mirët.”
“Kjo gjë na motivon më shumë. Kam besim se të gjithë lojtarët e vlerësojnë këtë ndeshje, si dhe do japin maksimumin, do tregohen të thjeshtë. Duhet të mendojnë që në këto ndeshjet e fundit nuk ka vend për gabime, koha vjen gjithnjë duke u zvogëluar ndaj duhet të jemi të kujdesshëm”, – deklaroi fillimisht Ndreu.
Trajneri i skuadrës krutane kërkon që ekipi i tij të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë, ndaj një ekipe që synon titullin kampion. “Shkojmë me Partizanin për të marrë minimalja një pikë. Jo se jemi të trembur, por luajmë ndaj një skuadre të fortë.”
“Gjithsesi ne jemi ajo skuadër që deri tani kemi treguar se jemi shumë të mirë, pavarësisht luhatjeve që i kam deklaruar që në fillim. Ato vijnë pasi ende nuk e kemi stabilitetin”, – përfundoi Ndreu, i cili do t’i gëzohej këtë javë edhe humbjes së rivalëve.