Me Flamurtarin ka mbyllur gjithçka tre ditë më parë. Ka qenë një ndarje e pritshme megjithatë ajo tashmë është bërë një realitet. Mesfushori shkodran Ndriçim Shtubina nuk është më pjesë e kësaj skuadre dhe ndoshta në brendësi ndjen një keqardhje për këtë gjë. Nuk e ka dashur një gjë të tillë por duket se kanë qenë rrethanat që e kushtëzuan atë. Vetë ai, i pyetur nga “Shkodra Sport” ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur me skuadrën vlonjate.
“Për nga mënyra si rrodhën ngjarjet kohët e fundit, sigurisht që ndarja ishte gjëja më e mirë. Trajneri Muça nuk më kishte me syrin e mirë dhe përpos kësaj, kontrata ime me Flamurtarin ishte vetëm për ndeshjet e Kupave të Europës. Meqë nuk flitej për rinovim, sigurisht që më mirë që nuk luajta në këto ndeshje europiane. Unë gjej rastin të falenderoj presidentin Shpëtim Gjika për gjithçka ka bërë për këtë skuadër por edhe në marëdhëniet me mua si futbollist, megjithatë nuk qe e thënë që bashkëpunimi ynë të vazhdonte më tej”- është shprehur ai. Në fakt, ka pasë një problem në mes lojtarit dhe trajnerit. Një histori që ka nisur prej disa kohësh dhe që Shtubina vetë nuk ia di arsyet pse ka lindur ai “konflikt” me Muçën. I pyetur për këtë gjë, ai do të shprehej: “Arsyeja krysesore që unë e ndërpreva bashkëpunimin me Flamurtarin ishte trajneri Shkëlqim Muça. Unë ende edhe sot nuk e marr vesh se çfarë kishte ky trajner me mua. Historia e moskomunikimit me të ka nisur që në ndeshjen me Vllazninë në Shkodër për kampionat dhe që atëherë nuk ka patur më momente të mira për mua. Ndonëse jam munduar të jap gjithmonë maksimumin, sërish nuk kam arritur ta kënaq trajnerin që shpeshherë më ka lënë edhe në stol. I kam kërkuar edhe shpjegime se pse nuk aktivizohem dhe asnjëherë nuk mora përgjigjen e duhur. Në kushte të tilla, sigurisht që “divorci” ishte shumë pranë dhe tashmë erdhi momenti që ndodhi”. Kjo është histori megjithatë Shtubina tashmë nuk ka dëshirë t’I rikthehet më asaj. Kërkon të nisë një aventurë të re dhe kontaktet e para I ka patur. Kukësi ka qenë ai që ka kërkuar shërbimin e tij por për mesfushorin shkodran sigurisht që prioritet ka Vllaznia, skuadra e tij e zemrës. 25 vjeçari e pranon që është takuar 2-3 herë me drejtorin sportiv Grima por pa marrë një ofertë konkrete për t’u ulur në bisedime. Në lidhje me këtë çështje, mesfushori I krahut do të shprehej: “Sigurisht që dëshira është e madhe për t’u rikthyer tek Vllaznia por kjo nuk është në dorën time. Nuk e di nëse drejtuesit e saj, kanë nevojë për mua apo jo sepse deri më tani, I vetmi me të cilin kam kontaktuar ka qenë Grima por pa hyrë në detaje të mëtejshme. Unë I kam shprehur dëshirën për t’u veshur kuqeblu por edhe ai në njëfarë mënyrë për të patur në skuadër. vetëm kaq sepse nuk kam marrë një ofertë konkrete apo nëse nuk mund të them saktësisht, nuk ka qenë shprehje e dëshirës për të qenë tek Vllaznia. Në kushte të tilla, natyrisht që po studio edhe ofertat e tjera. Jam ulur në tavolinë me drejtuesit e Kukësit me të cilët kam pasë një bisedë paraprake por puna ka mbetur tek shifrat financiare të kontratës. Natyrisht që do më pëlqente të isha pjesë e kësaj skuadre meqë në krye të saj janë tre bashkëqytetarë të mi megjithatë të shohim në ditët e ardhshme se çfarë do ndodhë”.
Gjergj KOLA