Në ndeshjen e sotme ka qenë një ndër protagonistët krysorë për skuadrën e Flamurtarit. Shkodrani Ndriçim Shtubina ka qenë madje edhe njeriu që kontribuoi në golin e shënuar nga Pero Pejiç në minutën e 61-të të ndeshjes. Ka qenë kthesa e tij ajo që e ka dërguar topin në kokën e kroatit dhe më pas në rrjetë. Gol ky që i ka mjaftuar vlonjatëve për të fituar ndeshjen dhe për të qenë ata tashmë në gjysmëfinale të kupës. I pyetur pas ndeshjes të sotme nëse e kishte të vështirë të luante ndaj ish-skuadrës së tij, Shtubina është përgjigjur: “Futbollistët duhet të jenë profesionistë dhe në këtë mënyrë veprova edhe unë. Luaj për Flamurtarin dhe në çdo ndeshje mundohem të bëj më të mirën për të. Këtë bëra edhe sot ndaj skuadrës time të zemrës Vllaznisë megjithatë ky është zanati im”. I ngacmuar edhe në lidhje me idenë e hedhur nga drejtuesit e klubit shkodran për kthimin e gjithë futbollistëve të këtij qyteti që luajnë me skuadrat e tjera për sezonin e ardhshëm, ai ka deklaruar:

“Për momentin jam pjesë e Flamurtarit dhe do mundohem t’i shërbej atij deri në fund për të arritur objektivat që ka. Ndërsa për të ardhmen, mendoj se është herët të flas”.Shtubina është pyetur edhe në lidhje me atë çfarë pa tek Vllaznia në fushën e lojës, për të marrë një mendim se si iu duk ajo. Mesfushori i majtë në përgjigjen e dhënë ka shkuar edhe më tej duke mos u ndalur vetëm tek ndeshja e sotme prandaj ka thënë: “Vllazninë e këtij sezoni e kam ndjekur në disa ndeshje nga ekrani i televizionit dhe të them të drejtën nuk është ajo Vllaznia që më pëlqen mua”. Ndriçim Shtubina është kthyer të luajë sot për Flamurtarin pas një dëmtimi që ka patur dhe trajneri Shkëlqim Muça është shprehur i lumtur për kthimin gradual në formën e tij më të mirë sepse është një lojtar shumë i domosdoshëm për ekipin.

www.shkodrasport.com