Laçi arriti të bënte një paraqitje mjaft të mirë në Ligën e Europës, aty ku barazoi 1-1 në ndeshjen e parë ndaj Hapoel Ber Shevës dhe u mund 1-0 në ndeshjen e kthimit. Me eliminimin nga Liga e Europës, nga Laçi ka pasur edhe shumë firo ku pas Selmanit e Elerit, është larguar një tjetër futbollist.
Ndriçim Shtubina nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Laçit dhe ka qenë vetë futbollisti ai që ka dhënë një njoftim të tillë. Shkodrani i cili në sezonin e fundit ishte golashënuesi kryesor i Laçit, ka provuar të luajë në mbrojtje, në mesfushë dhe në majë të sulmit, ku në çdo pozicion ka shkëlqyer.
“KF Laçi, shumë faleminderit për këto 2 vite që ishim bashkë. Po largohem me respektin më të madh. Nuk dua të vazhdoj me listën e falënderimeve sepse lista është shumë e gjatë. Me respekt, Ndriçim Shtubina”, shkruhej në postimin e futbollistit i cili ka qenë edhe pjesë e Vllaznisë e Kukësit./vipsport/