Pas shumë bisedimeve dhe tratativave, Ndriçim Shtubina është rikthyer sërish në Shkodër pasi kaloi një sezon te skuadra e Flamurtarit. Ai ka firmosur për një vit dhe do të përfitojë 30 milionë lekë në sezon. “Jam rikthyer te Vllaznia që të fitoj me të, me çdo kusht një trofe, pasi tani mendoj se ka ardhur koha që kjo skuadër të shkojë aty ku duhet”, – është shprehur Shtubina. Pavarësisht se ai ende nuk është prezantuar nga drejtuesit, pasi procedura është përcaktuar për të hënën, Shtubina ka vijuar ditën e djeshme stërvitjen me ekipin. Ai është shprehur i kënaqur me kontratën që ka lidhur me drejtuesit duke e thënë qartazi se tashmë duhen realizuar objektivat sezonalë.

“Dëshira ime më e madhe për të luajtur sërish me Vllazninë u përforcua kur mësova se drejtuesit dhe presidenca kishin vendosur të ndërtonin një ekip pretendent. Edhe gjatë këtyre ditëve që ne kemi qenë në bisedime, sigurisht që i kam ndjekur të gjitha tratativat apo bisedat me lojtarë të ndryshëm dhe cilësorë. Afrimi më i fundit i Beqirit konfirmoi realisht se Vllaznia e ka shumë seriozisht punën dhe kërkon që të jetë pretendente për të fituar titullin. Një gjë e tillë më bindi t’i refuzoja ofertat e tjera dhe të luaj sërish në Shkodër. Jam këtu për të dhënë maksimumin tim për skuadrën, sa herë që trajneri të më aktivizojë”, – ka thënë sulmuesi.
Rikthimi Rikthimi në Shkodër i Shtubinës është mirëpritur nga të gjithë. Ai ka bërë një sezon jo shumë të mirë me Flamurtarin, pasi shpeshherë ka qëndruar në stol. Por, në Shkodër gjërat ndryshojnë, ndërsa janë edhe tifozët që presin shumë prej tij, i cili gjithmonë ka treguar se është në nivel të lartë. “Nuk kam dëshirë të bëj premtime apo të flas përpara kohe. Në radhë të parë dua që skuadra t’i arrijë objektivat e saj. Kjo do të thotë që të gjithë lojtarët duhet të punojnë maksimalisht për të treguar aftësitë tona më të mira dhe të bëjmë konkurrencë me skuadrat e tjera. Natyrisht që edhe unë kërkoj maksimumin nga vetja ime. Do të stërvitem maksimalisht gjatë kësaj faze përgatitore për të arritur formën time më të mirë. E thashë dhe më sipër që, përpara se të flas për objektiva, duhet të punoj shumë për të rifituar formën time dhe më pas së bashku me gjithë shokët ta çojmë skuadrën aty ku i takon”, – thekson futbollisti. Në fund mesfushori shkodran flet dhe për emocionet që ka pasur ditën e parë të stërvitjes me ngjyrat kuqeblu. ”Që në momentin që u largova nga Shkodra kam pasur shumë mall për këtë stadium dhe tifozerinë e Vllaznisë. Si këtu në asnjë vend tjetër nuk ka një tifozeri kaq të zjarrtë dhe që të mbështet në çdo ndeshje apo aktivizim tëndin. Unë këtu jam rritur si futbollit dhe më mirë se Vllaznisë nuk mund t’i shërbej asnjë ekipi tjetër”, – ka përfunduar Shtubina.
Admir Uruçi