Kalimi i Romës nga Xhejms Pallota te miliarderi amerikan Dan Fridkin pritet të sjellë ndryshime të mëdha në radhët e klubit italian. Amerikani i radhës që merr drejtimin e verdhekuqve, pritet të bëjë lëvizje thelbësore në të gjitha sferat e drejtimit të klubit, por nuk do të prekë stafin teknik.
Mediat italiane kanë mësuar se trajneri Paulo Fonseka nuk preket për sa kohë që është në përputhje të plotë me objektivat e klubit që janë sigurimi i pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve në edicionin a ardhshëm.
Por Fridkin pritet të ndryshojë pjesën më të madhe të drejtuesve ekzekutivë që kishte vendosur Pallota, për të sjellë në klub persona të besuar të tij, të cilët do të mundohen të menaxhojnë më mirë aspektin ekonomik dhe atë të imazhit të kësaj skuadre që po synon në këtë mënyrë që të bëhet rivale fortë për Juventusin, Napolin dhe ekipet e Milanos.
Një nga lajmet e fundit është kthimi në klub i Daniele De Rosit, po jo më si futbollist. Mediat italiane insistojnë se me refuzimin e Totit për t’u bërë pjesë e stafit, Fridkin ka kontaktuar ish-mesfushorin dhe i ka ofruar këtij të fundit mundësinë që të bëhet pjesë e stafit të trajnerit Fonseka, meqë atë e tërheq trajningu.
Sakaq, vetëm me lajmet e para se Fridkin do të blejë klubin, aksionet në bursë të Romës kanë pësuar një rritje të ndjeshme, duke kaluar 9%.
Edhe pse klubi saktësoi me komunikatë zyrtare se nuk është formalizuar ende transferimi, rritja e ndjeshme e këtyre aksioneve ka bërë që Roma të jetë një nga asetet më të vlerësuar në bursat italiane, duke sjellë sigurisht disa miliona euro të tjerë në arkat e klubit. /vipsport/