Nga Maringlen ZHIVANI

Ndryshime te Akademia Vllaznia. Kështu, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se është larguar nga detyra drejtori i Akademisë Vllaznia, Sead Halilagiç. Mbyllja e këtij bashkëpunimi ndërmjet palëve vjen për arsyen se ish-drejtorit Halilagiç i ka përfunduar kontrata në krye të Akademisë dhe ka qenë ai vetë që u ka dërguar mesazh të gjithëve trajnerëve, duke i njoftuar për largimin e tij nga kjo detyrë.

Halilagiç qëndroi në krye të Akademisë për një sezon futbollistik, por pa lënë ndonjë gjurmë me punën e tij në Shkodër dhe si rrjedhojë, drejtuesit kanë vendosur të mos e vijojnë bashkëpunimin me të.

Megjithatë, kush do të jetë drejtori i ri i Akademisë Vllaznia? Në fakt, burime nga klubi shkodran për gazetën “Shkodra Sport” bëjnë të ditur se drejtori i ri i Akademisë pritet të jetë një njohje e vjetër e tyre dhe bëhet fjalë për Alban Nezirin. Ai ka qenë edhe më parë në këtë post, duke patur një karrierë të gjatë si drejtues i Akademisë së klubit të Vllaznisë.

“Shkodra Sport” mëson se madje Alban Neziri ka nisur punën për sezonin e ri, teksa bëhet e ditur se ai ka vendosur që të ketë edhe ndryshime trajnerësh dhe në ditët e ardhshme do të zyrtarizohet çdo gjë, ku do të mësohen edhe emrat konkretë që do të drejtojnë ekipet zinxhirë të Vllaznisë.

Nga sa mësohet, Akademia pritet të hyjë në një fazë të re ristrukturimi dhe për këtë arsye, në krye të saj është vendosur një njeri me shumë përvojë, që realisht duhet thënë se e njeh mjaft mirë punën me moshat, pasi në 11-vite si drejtues i Akademisë Vllaznia, ka arritur të fitojë 26-trofe dhe të nxjerrë disa futbollistë cilësorë për ekipe të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj./www.shkodrasport.com/