Prej pak kohësh në drejtimin e ekipit të futbollit të femrave të “Juban Danjes” ka patur një ndryshim. Trajneri i mirënjohur Nikoll Gjergji që e drejtoi atë në pak javë kampionat, nuk është më në këtë detyrë. Ai për arsye të tij personale ka dhënë dorëheqjen nga ky pozicion. Ndërkohë, presidenti i ekipit Ferdinand Jaku menjëherë ka bërë lëvizjet e duhura. Në krye të tij ka vënë një emër të ri, pikërisht Elson Ndrekën. Një djalë i shkolluar dhe me liçensën përkatëse i cili ka shumë ambicje për t’u rritur në karrierë.
Por ai nuk do të jetë i vetëm. Në drejtimin e ekipit do ta ndihmojë edhe Paula Jaku e cila do të luajë pozicionin e futbollistes- trajnere. Në fakt, nga sa mësohet, Paula akoma nuk e ka liçensën e trajneres por në muajin janar të vitit 2018 ajo do të rregjistrohet në kursin që do të hapë Federata Shqiptare e Futbollit për trajnerët e rinj. Ajo kësisoj do të ndjekë shembullin e së motrës- Emanuelës e cila e pat marrë këtë liçensë për trajnere, madje duke qenë ndoshta trajnerja e parë femër në Shqipëri.
Me këto ndryshime në pankinë, “Juban Danja” pritet të vazhdojë rrugën e saj në kampionat për të arritur objektivat që ka. Aktualisht ky ekip ndodhet në vendin e katërt në renditje megjithatë presidenti Jaku duket shumë ambicioz dhe në merkaton e janarit mund të ketë përforcime në përbërjen e skuadrës.
Ky është ekipi i parë i futbollit të femrave në Shqipëri, i krijuar në vitin 2005 dhe padyshim që duke hyrë tashmë në historinë e këtij lloj futbolli dhe kjo histori e traditë vazhdon edhe sot pas 12 vitesh.
© shkodrasport.com