Ndoshta kishte ardhur momenti dhe prandaj Federata Shqiptare e Futbollit po përgatitet për ndryshime thelbësore, që do të arrijnë deri në kupolën e saj drejtuese.

Pas zgjerimit të stafit në vitet e fundit, kjo e diktuar edhe nga rritja e aktiviteteve futbollistike, sipas “Panorama në FSHF do të ketë ndryshime në strukturën organizative, nga ku do të preken kompetencat e drejtuesve të lartë. Mësohet se Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, nuk do të ketë kompetenca të njëjta, kjo edhe për shkak të mënyrës së funksionimit që institucioni i futbollit do të ketë shumë shpejt.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme që do të mbahet, statuti i FSHF-së do të pësojë ndryshimet e nevojshme, për të mbërritur te një tjetër model funksionimi si institucion. Por, jo vetëm, pasi lëvizje pritet të ketë edhe në ekipet kombëtare, ku mund të preken disa trajnerë moshash. Gjithashtu, lëvizje do të ketë edhe në sektorin e arbitrimit, nga ku mendohet që disenjatori të jetë i huaj. Ndryshime do të ketë edhe në sektorë të tjerë, si ai i garave, edukimit dhe licencimit të klubeve.

PEA-TOPÇIU Burime në institucionin e futbollit shqiptar, i treguan dje gazetës se Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF, Aldi Topçiu, do të marrë kompetenca shumë të rëndësishme, aq sa “de facto” e bëjnë numrin 2 të federatës. Po ashtu, një rol kyç do të ketë edhe italiani Fulvio Pea, i cili aktualisht është Drejtori Teknik i ekipeve kombëtare.

Ky i fundit është përgjegjës që nga ekipet zinxhir dhe deri tek programi që duhet të ndjekin shoqatat rajonale me futbollistët në gjithë Shqipërinë, të cilët kalojnë në një seleksionim të vazhdueshëm. Kësisoj, Topçiu dhe Pea do të kenë kompetenca më të mëdha në vazhdimësi, duke qenë praktikisht në rolin e administratorëve të sektorëve më të rëndësishëm. Të gjitha këto lëvizje pritet të zyrtarizohen së shpejti.