Për sezonin e ri 2018/2019 klubet shqiptare do të dalin me disa propozime në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së që do të organizohet në një hark kohor të shkurtër. Përveç kërkesës për të rritur nga 4 në 5 numrin e futbollistëve të huaj në ekipet shqiptare, një kërkesë e re ka dalë së fundmi për të ndikuar thellësisht në vazhdimësinë e kampionatit. Klubi i Partizanit do të kërkojë implementimin e sistemit të asistimit të arbitrit, i njohur gjerësisht si VAR.
Kontestime për gola të parregullt, mosakordimi i penalltive flagrante e të dyshimta mbetet një gangrenë e përhershme e futbollit shqiptar ku gjyqtarët janë sulmuar gjithmonë për paaftësi dhe favorizim të skuadrave në mënyrë të vazhdueshme. Por kjo gjë do të shikohet dhe në raportet me kushtet financiare e infrastrukturore, të cilat nuk i japin shans vënies në punë të VAR-it në Superligë.