Nga Endri ÇINARI
Vllaznia arriti një kualifikim plot emocione mbrëmë kundër Elbasanit në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të kupës së Shqipërisë. Shkodranët arritën kalimin e turit në fund vetëm pas goditjeve të penalltive. Ku më parë koha e rregullt dhe 30 minutat e shtesës kishin përfunduar me rezultatin 3-3.
Por përveç kualifikimit të shkodranëve, për “detajistët” ra në sy edhe një fakt tjetër në fushën e lojës. Kevin Dodaj në duelin ndaj elbasanave u paraqit në fushë me një numër tjetër mbi shpinë. Sulmuesi nuk kishte veshur numrin 22-të që ka mbajtur gjatë gjithë sezonit deri më tani, por numrin 10-të. Numër të cilin gjatë këtij sezoni tek kuqeblutë e ka mbajtur të veshur Amir Kahrimanoviç.
E me sa duket edhe nga informacione pranë klubit, Dodaj tashmë do mbajë numrin 10-të deri në përfundim të edicionit. Ky ndryshim ka ardhur për t’i dhënë një tjetër shtysë talentit 19-vjeçar, nga i cili pritet akoma më tepër në kampin shkodran. Dhe patjetër në bashkëpunim dhe mirëkuptim edhe me Kahrimanoviç, i cili duke qenë se edhe do jetë jashtë fushave edhe për disa javë e ka “liruar” numrin për Dodajn.
Në këtë mënyrë Dodaj është “graduar” tashmë e patjetër edhe përgjegjësia do jetë më e madhe për futbollisitin edhe të kombëtares U-21 të Shqipërisë. Ku mbi shpatulla tashmë mban një numër me të cilin kanë bërë histori emra të shquar të futbollit shkodran, por edhe atij europian dhe botëror.(www.shkodrasport.com)