Lotët e derdhur dje pas ndeshjeve të javës së parafundit të kampionatit nga trajneri Bledar Devolli kanë bërë bujë në media dhe rrjetet sociale.

Ato tregojnë më së miri trishtimin që pësoi ky trajner tashmë që skuadra e tij- Kastrioti është thuajse i rënë nga Superliga, pavarësisht se ai dhe futbollistët bënë përpjekje të jashtëzakonshme nga janari për ta shpëtuar, por duket se nuk ia arritën dot.

Për rrjedhojë, Devolli dje pasi ka mësuar verdiktet e javës së parafundit, nuk arriti dot të flasë në konferencën e shtypit dhe shpërtheu në lot.

Një ndryshim i madh me atë çfarë ndodhi një sezon më parë kur Vllaznia pas humbjes në Tiranë me Partizanin, u duk qartë se i dha lamtumirën Superligës dy javë para përfundimit të kampionatit.

Dhe trajneri i saj në atë periudhë- Ernest Gjoka, bëri një zgjedhje të çuditshme: E braktisi skuadrën duke preferuar të mos kthehej më në Shkodër ndonëse do luheshin edhe dy javë të tjera kampionat!!!

“E braktisti i pari anijen” kur nuk duhej të ndodhte kështu ndonëse drejtuesit e klubit i kishin plotësuar të gjitha kërkesat për merkaton, madje duke i sjellë në ekip lojtarë shumë të shtrenjtë për buxhetin e saj. Ia plotësuan edhe kërkesat e tjera për grumbullime etj, por në fund, iku edhe pa u përshëndetur. Iku nga “dera e pasme”.

Një veprim që shkodranët nuk do ia falin kurrë. Ja pse Ernest Gjoka vazhdon të jetë jo i preferuari i tyre. Njëkohësisht, ky është dallimi i madh në mes lotëve të Bledar Devollit dhe “ikjes nga dera e pasme” e Ernest Gjokës.

Dhe me siguri që sezonin e ardhshëm Gjoka do të jetë sërish duke drejtuar një skuadër në Superligë dhe Devolli mbase edhe pushim.
© shkodrasport.com