Tashmë është zyrtare, Emiljano Çela dhe Bekim Kuli janë “timonierët” e rinj të Besës, të cilët nga 3 janari kanë nisur punën për rikthimin e verdhezinjve në Superiore. Lajmi u konfirmua fillimisht nga Kukësi, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ndonëse lëvizja ishte bërë publike nga presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, që pas largimit të Mirel Josës.
Verilindorët bënë me dije, se klubet kanë arritur marrëveshjen për kalimin e stafit teknik nga Kukësi në Kavajë. Më pas, edhe Besa bëri “adetin”, ku i uroi mirëseardhjen trajnerit Çela, i cili ka firmosur për 18 muaj me kavajasit. Bekim Kuli si zv.trajner dhe Bledi Baholli si trajner portierësh plotësojnë stafin e teknikut të ri të Besës.
Merkato e janarit pritet të shoqërohet me hyrje-dalje në kampin kavajas. Sa i përket përforcimeve janë bërë të ditur emrat e parë, ku është arritur akordi me Bedri Grecën dhe Rodrigo Migone, si dhe pritet edhe ish-sulmuesi i Erzenit, Patrik Nonato.
Më herët është folur për një operacion “fshesa” te Besa, ku do ta pësojnë lojtarët e stolit. Medita nga brime pranë klubit kanë zbuluar emrat e parë që do të largohen nga verdhezinjtë.
Bëhet fjalë për katër futbollistë të afruar në merkaton e verës, si dhe një lojtar që ka qenë edhe në sezonin e shkuar. Erduan Ibrahimi, Flavio Meçja, Kurt Mert Han, Mikhululi Nkube, Mario Xheson Kikonda pritet që të mos jenë pjesë e Besës në vazhdim.