Duhej të luheshin të dielën siç ndodh zakonisht me ndeshjet e kampionateve të moshave, por ekipet e Akademisë Vllaznia këtë herë nuk do të luajnë këtë ditë. Ndeshjet e tyre janë shtyrë për të hënën dhe arsyeja ka patur të bëjë me ngarkesën që ka këtë fundjavë fusha “Reshit Rusi”.
Të shtunën aty luhen ndeshjet e moshave të Ligës Amatore dhe luan ekipi i parë i Vllaznisë ndaj Vorës. Të dielën ndërkohë do të jetë “derbi” i femrave në mes Vllaznisë dhe Juban Danjes ndërkohë që pasdite do të luhet edhe ndeshja Veleçiku- Burreli, e vlefshme për kategorinë e parë.
Në këto kushte Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që takimet e javës së nëntë për ekipet e Akademisë kuqeblu të zhvillohen të hënën. Ajo që pritet me shumë interes është përballja e 19 vjeçarëve sepse do të kemi një “derbi” në “Reshit Rusi”.
Përballë njëri- tjetrit do jetë ekipi i Vllaznisë me trajner Luan Zmijani dhe ai i Akademisë Ajaks që drejtohet nga trajneri Marvin Meçanovi. Kuqeblutë vërtetë janë më mirë në renditje megjithatë sfidat në mes këtyre dy ekipeve në dy sezonet e fundit kanë dhuruar shumë emocione dhe njëkohësisht edhe rivalitet.
Kështu pritet të ndodhë edhe këtë herë. Nga ana tjetër, 17 vjeçarët e Vllaznisë do të presin në Shkodër ekipin e Kukësit. Djemtë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi do të kërkojnë patjetër fitoren, jo vetëm për të ruajtur vendin e tretë në renditje por edhe për të tentuar ngjitjen më lart.
Ekipi shkodran tashmë duket më i plotë sepse janë rikuperuar disa nga lojtarët që ka patur të dëmtuar dhe kjo është diçka pozitive.