Superiorja do të luajë ndeshjet e fundit për këtë vit kalendarik. Ekipet do të zbresin në fushë për të luajtur kështu ndeshjet e javës së parë të fazës së 3-të.
Saktësisht sfidat e javës së 19-të do të luhen të ndara në 3 ditë, të premten, të shtunën dhe të dielën. Axhenda e kësaj jave ka pësuar ndryshime. Gjithçka do të startojë ditën e premte në orën 16:30 ku Skënderbeu pret Elbasanin. Ky takim ishte parashikuar të zhvillohej ditën e shtunë në të njëjtën orë, por tashmë është spostuar me një ditë dhe do të luhet ditën e premte.
Ndryshime ka pësuar edhe dueli mes Partizanit dhe Vllaznisë. Kjo përballje fillimisht ishte parashikuar të luhej ditën e premte në orën 17:00, por tashmë do të luhet në të njëjtën ditë, por në orën 19:00.
Ndërkohë ditën e shtunë do të luhen 2 ndeshje të tjera. Laçi do të presë në shtëpi Tiranën në orën 13:30. Dinamo – Egnatia është një tjetër përballje e rëndësishme e kësaj jave që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” në orën 16:30.
Nga ana tjetër ndeshja e fundit e kësaj jave dhe e këtij viti kalendarik për Superioren do të luhet në “Niko Dovana” ditën e dielë. Teuta në orën 16:30 do të presë skuadrën e Bylisit.