Java e 3 e Kategorisë Superiore do të luhet e gjitha në një ditë. Kështu, të shtunën e datës 21 nëntor, të gjitha skuadrat zbresin në fushë, ndërsa rezervohen disa sfida të spikatura.
Sigurisht, vëmendja më e madhe shkon në Shkodër, atje ku luhet klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës. Ajo ishte planifikuar fillimisht te luhej te shtunen ne oren 13.45 por me njoftimin e sotem te FSHF-se ky takim do te luhet po ate dite por ne oren 16:45.
Kuqeblutë vijnë në një formë shumë të mirë duke fituar dy ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa kanë shkëlqyer edhe në kupë.
Ndërkohë, situata në kampin bardheblu është krejtësisht e ndryshme duke qenë se kryeqyetasit vijnë me një trajner të ri pas shkarkimit të Emanuel Egbo pas dështimit të skuadrës për t’u kualifikuar në Kupë, si dhe humbjes në kampionat me Teutën.
Nevil Dede do të ketë mundësinë të zhvillojë të parën në stolin e Tiranës dhe kurioziteti mbetet i madh në mënyrën si do të paraqitet skuadra. Ndërkaq, një tjetër sfidë me shumë rivalitet është ajo mes Teutës dhe Kukësit.
Durrsakët që pas dy ndeshjeve kanë grumbulluar katër pikë, janë një nga skuadrat favorite për triumfin final, ndërkohë që verilindorët po ashtu shihen si një nga ekipet që do të luftojë për titull edhe pse sezonin e kanë nisur shumë keq me dy humbje.
Në këtë ndeshje pritet kthesa për të mos rënduar edhe më shumë pozitat e ekipit, apo edhe trajnerit Gega. Sakaq, Partizani pret në Elbasan, Laçin. Të kuqtë e Ilir Dajës pas humbjes në javën e parë me Kastriotin, fituan me Kukësin, ndërsa kurbinasit e kanë nisur me “frena dore” duke marrë dy barazime në dy ndeshjet e para. Ndërkaq, po të shtunën luhet edhe Bylis-Skënderbeu, e Kastrioti-Apolonia. /VipSport.al/
Ndeshjet:
13:45 Bylis-Skënderbeu
13:45 Kastrioti-Apolonia
16:45 Vllaznia-Tirana
16:45 Teuta-Kukësi
16:45 Partizani-Laçi