Karriera e Lorik Canës pas lënies së futbollit ka marrë një ndryshim rrënjësor në ditën e djeshme, teksa babai i tij është shprehur se ish-kapiteni i Kombëtares do të drejtojë një ekip të njohur europian.
Në një intervistë për “Sports Show”, Agim Cana ka deklaruar se në fundin e këtij sezoni, ish-mbrojtësit të kombëtares shqiptare do i besohet drejtimi i një klubi të njohur, nga një investitor i fuqishëm që nuk bëhet ende i ditur.
Megjithëse pritej që karriera e tij të vazhdonte si trajner, tashmë Lorik Cana do të jetë në rolin e presidentit.
“Nuk kemi kulturë dhe nivel për të privatizuar klubin e Vëllaznimit, megjithëse ky privatizim do të vij herët a vonë. Për momentin nuk jam i këtij mendimi, pasi duhet të qartësohen disa gjëra në aspektin financiar.
Lorik Cana ka shumë drejtime dhe biznese për momentin, prandaj nuk është objektiv i tij për të qenë trajner në një klub.
Jam krenar se Loriku është i lumtur edhe pas karrierës së futbollistit. Ai e ka pasur për detyrë për të bërë një kurs trajnimi dhe tashmë duhet të merret me njohuritë për të menaxhuar një klub. Ofertat nuk kanë munguar, por ai është ende në pritje.
Në fundin e këtij sezoni Loriku do të drejtojë një klub të njohur europian dhe për momentin emrin e këtij klubi nuk do ta bëjmë të ditur.
Nuk do të jetë vetë ai që do të blejë klubin, por do të blihet nga një person tjetër, që do ia besojë menaxhimin e ekipit Lorik Canës.
A do të jem unë ai që do e blejë ekipin në fjalë? Fillimisht do të ishte mirë të blija Vëllaznimin”, është shprehur Agim Cana./vipsport/