Ndeshja me Skënderbeun kthehet në një telenovelë të vërtetë për Vllazninë. E planifikuar fillimisht për më 15 shkurt, ajo u shty për shkak të kushteve atmosferike bashkë me ndeshjet e tjera çerekfinale të kupës për më 23 shkurt. Drejtuesit e Vllaznisë ndërkohë duke dashur që fusha e stadiumit “Loro Boriçi” të ishte në kushte sa më optimale, bënë një kërkesë në Federatën Shqiptare të Futbollit që ajo të shtyhej për 24 orë dhe prandaj u vendos që takimi Vllaznia- Skënderbeu të luhej ditën e premte në orën 14.00. Ekipi shkodran filloi të mendonte kështu në këtë mënyrë se do të kishte edhe një ditë më tepër në dispozicion për stërvitje ndërkohë që mesditën e sotme, nga Tirana ka mbërritur një lajm tjetër. Ndeshja ndaj korçarëve nuk do luhet ditën e premte por rikthehet sërish të enjten në orën 14.00. Lajmi bëhet I ditur nga drejtues të klubit shkodran sipas të cilëve, arsyeja pse ndeshja nuk do luhet të premten është sepse atë ditë do ketë mbledhje të Komisionit të Apelit pranë FSHF-së ku janë për t’u diskutuar shumë çështje dhe prandaj ndeshjet e treta të turit çerekfinal të kupës do luhen ditën e enjte. Ndërkohë, edhe gjendja e stadiumit “Loro Boriçi” sot ka qenë më e mirë teksa edhe bora që është mbi tapet ka filluar të shkrijë dhe me shumë siguri deri të enjten do ketë ikur krejtësisht nga fusha.

www.shkodrasport.com