Ish- futbollisti i Vllaznisë dhe i Adës Ndue Mujeci sot është shpallur kampion i Letonisë me ekipin Ventspils. Ai ka qenë një nga protagonistët kryesorë të këtij ekipi në këtë sukses sepse ka luajtur në 31 nga 34 ndeshjet e tij duke dhënë një kontribut të madh edhe me golat e shënuar, plot 12. Ky natyrisht që është një sukses i madh për këtë futbollist vetëm 21 vjeçar. Në këtë mënyrë, që në sezonin e parë jashtë Shqipërisë, ai ka arritur të jetë një lojtar i rëndësishëm për kampionen e Letonisë- Ventspils. Me siguri që do të vazhdojë të jetë pjesë e saj edhe sezonin e ardhshëm dhe për më tepër, për të marrë pjesë me të në ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Mujeci ka dalë nga Shkolla e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë për të vazhduar me Akademinë Vllaznia. Në vitin 2011, firmos të parën kontratë zyrtare me ekipin e parë të Vllaznisë por duke mos gjetur shumë hapësira, huazohet tek Ada ku luan një sezon e gjysëm. Tek skuadra velipojake spikat me lojën dhe golat e tij para se të kalonte në Letoni ku pakkush mendonte se ai do triumfonte. Megjithatë Mujeci sonte është në qiellin e shtatë. Po feston titullin kampion me këtë skuadër. titull që mban edhe firmën e tij dhe kjo nuk është pak për 21 vjeçarin shkodran.
Gjergj KOLA