COVID-19 ka “mbërthyer” edhe njëherë të gjithë botën, teksa vala e dytë e pandemisë konfirmohet e frikshme si ajo e para. Ndërkohë, duke parë numrat e të infektuarve, shtetet vazhdojnë të aplikojnë masa shtrënguese, të cilat janë të shtrira edhe në botën e futbollit, ku stadiumet vazhdojnë të jenë të boshatisura.

Sakaq, shpresa e vetme për rikthimin në normalitet shihet të jetë vaksina kundër koronavirusit, e cila pritet të jetë e gatshmë për pak muaj. Ndërkohë, edhe në lidhje me vaksinën ka shumë zëra pro dhe kundër, teksa deri tani është deklaruar se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme.

Mirëpo, në Angli ka bërë jo pak zhurmë një deklaratë e ministrit për vaksinimin, Nadim Zahavi, i cili u shpreh se ata që nuk bëjnë vaksinën nuk do të lejohen të futen në stadium, apo teatër e kinema pasi do të vazhdojnë të cilësohen si një kërcënim për të shpërndarjen e COVID-19.

Një deklaratë që nuk është pritur mirë, pasi në një formë prek të drejtat e njeriut në lidhje me lirinë e tyre. Por, për t’i qetësuar të gjithë ka menduar ministri i kabinetit të qeverisë, Majkëll Gov është shprehur se nuk ka asnjë plan të tillë. “Unë nuk jam duke planifikuar të prezantoj asnjë pasaportë vaksine dhe nuk di asnjë në qeveri që ka plan diçka të tillë”, ishin fjalët e tij. /VipSport/