Ata nuk kanë një rekordmen golash si Sergio Aguero, një “mbret të asisteve” si Kevin de Bruyne dhe talente të tillë si Raheem Sterling apo Gabriel Jesus. Nuk janë në krye të Premier League me tetë pikë avantazh, por kanë shënuar më shumë se skuadra e Pep Guardiola dhe mund të krenohen me faktin që janë skuadra profesioniste që ka shënuar më shumë gola në gjithë Britaninë e Madhe në këtë sezon.

Bëhet fjalë për Luton Town, që ka shënuar 63 gola në League Two, kategoria e katërt në Angli.
“Ne nuk e krahasojmë veten tonë me Manchester City, sepse ata i përkasin një planeti tjetër në të gjitha aspektet, por jemi shumë krenar që kemi shënuar më shumë se çdo skuadër tjetër në Angli dhe duam të ruajmë këtë rekord duke punuar fort deri në fund të sezonit,” – thotë trajneri i Luton, Nathan Jones.Në ndeshjen e fundit Luton Town fitoi 8-2 ndaj Yeovil dhe ishte hera e parë që nga viti 1988 që një skuadër ka shënuar më shumë se 7 gola në kategorinë e katërt në Angli. Golashënuesi më i mirë është Danny Hylton, autor i 13 golave në 21 ndeshje në këtë sezon. Në total, 20 futbollistë të Luton e kanë gjetur golin në këtë sezon. Ata kryesojnë renditjen e League Two, teksa e kanë golaverazhin +30.