Albpetroli vazhdon të përpëlitet. Situata është më e rëndë se kurrë, duke vënë në dyshim edhe ekzistencën e ekipit. Reduktimi i financave nga ana e Bashkisë së Patosit, dorëheqja e stafit teknik dhe gjendja kritike e ekipit kanë bërë që futbollistët zyrtarisht të mbeten pa stërvitje.
Ata janë paraqitur dje në ambientet e stadiumit “Alush Noga”, por s’kanë mundur që të përgatiten si zakonisht. Shkaku: nuk ka trajner dhe as zv.trajner.
Në kësi kushtesh, edhe seanca e së martës ka dështuar. Gjithsesi, ata janë munduar që në mënyrë individuale të kryejnë ndonjë ushtrim për të ruajtur formën sportive.
Nuk dihet si do të jetë vazhdimësia, por java e ardhshme do të përcaktojë edhe fatin e klubit patosarak.
Ndërkohë, pritet rikthimi i kryetares së Bashkisë së Patosit, njëkohësisht dhe presidente e ekipit, që për shkak të infektimit me “COVID-19” nuk ka qenë në krye të punëve të institucionit më të lartë të qytetit. Pushimi i kësaj jave pritet t’i shërbejë Albpetrolit që të vendosë për të ardhmen.