Punimet per rikonstruksionin e pallatti te sportit duhej të kishin nisur. Të paktën kështu u pat premtuar se në fillim të korrikut, punëtorët do kishin mbërritur në ambjentet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” për të nisur punën. Por nuk ka ndodhur kështu. Arsyeja ka qenë ana proceduriale. Në fillim ka qenë ftesa për firmat e ndërtimit, më pas rregjistrimi në tender ku kanë marrë pjesë 7 firma. Zhvillimi I tenderit ka nxjerrë edhe firmën fituese por për arsye procedurash, ajo ende zyrtarisht nuk ka nisur nga puna.
Dikush thotë se kjo do të ndodhë në ditët e para të muajit gusht. Megjithatë drejtuesit e basketbollit të Vllaznisë, janë të shqetësuar në lidhje me këtë fakt. Ato kanë bërë pagesën prej 15 mijë eurosh në zyrat e Ligës Ballkanike për të konfirmuar pjesmarrjen në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Siç dihet, drejtues të kësaj Lige kanë qenë para disa kohësh në Shkodër dhe kanë lënë detyrat për të bërë rikonstruksionin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” në mënyrë që Vllaznia t’I luajë ndeshjet në Shkodër. Por koha për ta bërë këtë gjë tashmë duket e shkurtër dhe ka dyshim nëse do të do të arrihet të bëhet rikonstruksioni I plotë I këtij impianti sportiv. Në rrethana të tilla, pjesmarrja e Vllaznisë në Ligën Ballkanike duket në rrezik nëse puna nuk nis menjëherë.