Ka shënuar pesë gola, duke qenë mesfushor dhe është përfshirë në formacionin e vitit në kampionatin sllovak, por në vitin e eksperimenteve për Kombëtaren nuk mori asnjë ftesë. Kristi Qose, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon harresën nga FSHF dhe trajneri Panuçi, ecurinë në kampionat me Ruzembrok, pjesëmarrjen në formacionin e vitit si dhe kampionatin e preferuar për të.
Mesfushori 23-vjeçar ka debutuar me kuqezinjtë më 8 qershor 2014 ndaj San Marinos dhe që nga ajo periudhë nuk është kujtuar më askush për të. Në intervistën për gazetën, Qose tregon për vështirësitë që ka pasur në fillimet e transferimit nga Greqia në Sllovaki, ku një prej tyre ka qenë edhe pasaporta shqiptare.
A keni menduar për një moment se duke pasur një vlerësim të tillë në kampionat, është e padrejtë që të mos keni ftesë, sidomos në periudhën kur u bënë shumë testime dhe eksperimente?
Kombëtaren e mendoj gjithmonë dhe nuk ka të krahasuar fare me këtë çmim që kam marrë këtë sezon. Unë vazhdoj të punoj, të bëj maksimumin në çdo ndeshje që jam në fushë dhe kam durimin që një ditë do të vijë edhe momenti të jem në Kombëtare. Shpresoj shumë që të më vijë radha një ditë. Sa i përket pyetjes nuk e mendoj, pasi për çdo mendim është trajneri që gjykon dhe që vendos.