Pak ditë më parë në Shkodër u fol shumë për “derbin” Vllaznia- Veleçiku dhe ndonëse shumëkujt nuk u pëlqeu kjo shprehje, ky ishte në fakt realiteti. Të dy ekipet ndesheshin në të njëjtën kategori të futbollit shqiptar.

Dhe normalisht që Vllaznia me shumë emër dhe traditë e fitoi atë sfidë. Por në një sport tjetër ka qenë Veleçiku që ka triumfuar ndaj shkodranëve.

Bëhet fjalë për kampionatin kombëtar ekipor në shah që po zhvillohet prej disa ditësh në Tiranë. Në përballjen direkte në mes tyre, pikërisht në raundin e katërt të kampionatit, shahistët koplikas kanë fituar 3-2 ndaj shkodranëve.

Madje Veleçiku edhe në renditjen e përgjithshme është më lart sesa Vllaznia sepse ai mban vendin e pestë ndërsa kjo e fundit të gjashtin.

Pretendenti kryesor për t’u shpallur kampion për vitin 2018 është ekipi i Naftëtarit të Kuçovës i cili çuditërisht ka bërë pesë blerje sportistësh me emër nga Mali i Zi dhe nga Bosnja dhe ato bëjnë diferencën me ekipet e tjera.

Po ndërkohë cilat janë sportistë që përfaqësojnë dy ekipet veriore në këtë kampionat?

Vllaznia përfaqësohet me këta sportistë: Franc Ashiku, Elvis Tavasja, Bimi Meta, Agim Preza, Bernard Leka, Erion Vogli, Arges Hoxha dhe Xhoana Preçaj.

Sakaq Veleçiku është duke u paraqitur me këta shahistë në këtë kampionat: Gëzim Noka, Aleksander Paci, Adrian Pustina, Ferit Salihaj, Agim Hoxha, Edmond Bushi dhe Lambion Salihaj.
© shkodrasport.com