Igli Tare ka qenë sot mes kandidatëve për të fituar një çmim shumë prestigjioz që jepet në Dubai, atë të “Drejtorit sportiv të vitit” që jepet në “Globe Soccer Awards”.
Një vlerësim i lartë ky për drejtuesin shqiptar të Lacios, i cili ka bërë shpeshherë mrekulli me klubin e tij duke e ndihmuar që të kthehet pak nga pak në një pretendent serioz për kualifikimin në Ligën e Kampioneve e shumëkush e sheh si një rival në të ardhmen i Juventusit e Interit për titullin kampion.
Tare ishte mes kandidaturave që kishin emra të rëndësishëm në garë, pasi përballë tij ishin Erik Abidal i Barcelonës, Mark Overmars i Ajaksit dhe Andrea Berta i Atletiko Madrid.
Në fund, fitues është shpallur pikërisht ky i fundit, italiani i cili prej disa sezonesh është pjesë e madrilenëve dhe ndërton merkaton e tyre, duke bërë lëvizje shumë interesante siç ka qenë ajo e fundit kur siguroi talentin Zhoao Feliks.
Edhe pse nuk fitoi, prania e Tares mes emrave më të rëndësishëm të futbollit europian tregon qartësisht vlerësimin që ekziston aktualisht për drejtuesin shqiptar dhe “magjitë” e tij. Nuk është rastësi që në verë, një klub si Milani u përpoq me ngulm që ta bindte të merrte përsipër projektin për të rindërtuar kuqezinjtë. /vipsport/