Niko Kovaç u shkarkua një javë më parë nga drejtimi i Bajernit, për shkak se skuadra nuk kishte arritur rezultatet e dëshiruara.

Pas largimit të trajnerit kroat, stoli i skuadrës iu besua ndihmësit Hans Flik, i cili drejtoi bavarezët në ndeshjen e fituar kundër Olimpiakosit në Ligën e Kampionëve 2-0, dhe ditën e sotme ku triumfuan me shifrat e thella 4-0, ndaj Dortmundit.

Gjatë gjithë javës shumë emra kanë qarkulluar se mund të marrin drejtimin e Bajernit, por për asnjë nga trajnerët e përmendur nuk ka pasur reagim nga drejtuesit e Bajernit. Megjithatë sipas asaj që shkruan “Bild”, tashmë drejtuesit e kanë vendosur se kush do t’i drejtojë ata në vazhdim.

Thuhet se Flik i ka bindur të gjithë në stolin e skuadrës në këto ndeshje, dhe drejtuesit nuk do të kërkojnë trajner tjetër, por do të jetë ish-mesfushori gjerman ai që do drejtojë Bajernin.