Kjo javë në radhët e përfaqësueses shqiptare për ndeshjet ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë, do të jetë paksa më e veçantë për Klaus Gjasulën.
Mesfushori i është bashkuar kuqezinjve përsëri, pas mungesës në sfidat e një muaji më parë, këtë herë me bekimin e klubit të Hamburgut që shpreson që ai të luajë e të rigjejë formën më të mirë.
Por njëkohësisht me këtë dëshirë, në radhët e klubit gjerman janë të shqetësuar për situatën e futbollistit sa i përket udhëtimeve dhe grumbullimit me kombëtaren.
Mediat gjermane tregojnë se në klub po monitorojnë me shumë kujdes situatën në kampin kuqezi, duke shpresuar që Gjasula të mos infektohet aty, siç kishte ndodhur në shtator me lojtarë si Ramadani e Ismajli të cilët më pas rezultuan pozitivë kur u kthyen në klubet përkatës.
“Hamburger Morgenpost” bën të ditur se Gjasulën gjithsesi do ta presë një karantinë pesëditore kur të kthehet në Gjermani, sipas rregulloreve të autoriteteve shëndetësore lokale.
Por shqetësimi më i madh në klub vazhdon të mbetet fakti se ai mund të infektohet gjatë qëndrimit në Shqipëri, ndaj janë në kontakte të vazhdueshme me futbollistin e po informohen për të gjitha ngjarjet në grupin kuqezi.
Me rregulloret e emergjencës së FIFA-s, klubet mund të vendosin të tërheqin futbollistët e tyre nga ekipet kombëtare nëse e shohin të arsyeshme. /vipsport.al/