Deri në fund të këtij sezoni ishte pjesë e zviceranëve të Ksamaks, por tashmë do të ndërrojë skuadër dhe shtet. Mbrojtësi i Kosovës, Arbenit Xhemajli ka lënë Zvicrën, për të zbarkuar në Angli, ku do të jetë pjesë e Sandërlendit.
Ai ka firmosur kontratë dyvjeçare me anglezët, ndërkohë që vjen me parametra zero pas përfundimit të kontratës me Ksamaks.
Gjithçka është zyrtare dhe mbrojtësi i qendrës i është bashkuar menjëherë ish-klubit të Lorik Canës, duke u bërë shqiptari i dytë, që luan me Sandërlend, pas kapitenit legjendar të kombëtares sonë.
Megjithatë, duhet të themi se Cana ka luajtur me Sandërlend në një periudhë të artë për klubin, kur përfaqësohej në Premier Ligë dhe kishte në organikë edhe një lojtar si Henderson.
Tashmë klubi po përjeton një periudhë shumë të vështirë, duke u përfaqësuar në ligën e tretë për nga rëndësia në ishull (League One) dhe hasur vështirësi të mëdha për tu ringritur. Megjithatë, Xhemajli dëshiron ta shfrytëzojë si një mundësi për të shkuar më lart këtë transferim dhe për të depërtuar drejt elitës së futbollit anglez.
Mbrojtësi ka lindur në Zvicër, por ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, me të cilën ka debutuar në tetor të vitit të shkuar në një miqësore ndaj Gjilbratarit, të fituar nga Kosova me shifrat 1-0. /vipsport/