Futbollisti me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi ishte pjesë e përfaqësueses së Gjermanisë në botërorin “Brazil 2014”, ku panzerat arritën të shpalleshin kampion bote për herë të katërt në histori.

Mustafi, i cili është aktivizuar në 20 ndeshje miqësore dhe zyrtare me hjermanët, ku ka arritur të shënoi edhe 2 gola, do të jetë pjesë e stafit teknik të përfaqësueses U-17.

Ishte vetë federata Gjermane që zyrtarizoi emërimin e Mustafit në stafin përfaqësueses U-17:

“Shkodran Mustafi i bashkohet futbollit të të rinjve si ndihmës trajner i Mark Meister. Nga 1 korriku Mustafi do të ndjekë nga afër talentet e lindur në vitin 2008.”

Nga ana e tij Mustafi u shpreh tejet i lumtur për aventurën e tij të re, teksa nuk harron objektivin e tij të madh: “Prej disa kohësh dëshiroja të fitoja përvojë si trajner. Nga njëra anë do të kisha dashur të luaja më gjatë futboll. Nga ana tjetër, mezi pres që të hedh hapat e mi të parë si trajner. Do të doja t’u transmetoja djemve të gjithë përvojën që kam fituar në kohën time nga U-15 deri në U-21 dhe padyshim me Kombëtaren A”.