Gianluigi Buffon tha se Cristiano Ronaldo është i lirë të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë në jetën e tij, duke iu përgjigjur kështu interesimit të gazetarëve se përse superstari i Juventusit nuk mori pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë”.
Ylli portugez doli i dyti në klasifikimin e votave të marra, pas ish-bashkëlojtarit të tij në “Santiago Bernabeu”, Luka Modric, i cili triumfoi në çmimin e “France Football”.
Portieri i PSG-së u pyet për mungesën e Ronaldos dhe ai iu tha gazetarëve: “Unë mendoj se ne jemi të gjithë njerëz të lirë. Gjithkush vendos vetë se çfarë dëshiron nga jeta e tij”.
Ronaldo ka pasur një fillim të shkëlqyer te Juventusi, ku u transferua në mënyrë sensacionale në verë. 33-vjeçari ka shënuar 11 gola në 18 ndeshje. Ai u bë lojtari i parë i Juventusit, që nga John Charles (1957-1958), që shënon të paktën 10 gola në sezonin e tij të parë të Seria A, pas 14 ndeshjesh./telesport/