Sot do të luhen takimet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku do të përcaktohet edhe finalja e madhe e këtij kompeticioni.
Tirana–Kukësi dhe Vllaznia–Egnatia, të dyja ndeshjet do të startojnë në orën 18:00. Në “Air Albana” bardheblutë do të kërkojnë që të bëjnë mrekullinë, pasi do të tentojnë të përmbysin gjithçka për të shkuar në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë.
Në anën tjetër verilindorët vijnë të qetë në këtë sfidë pas fitores në takimin e parë 2-0. Kukësi do të synojë të mbrojë rezultatin për të siguruar kualifikimin në finale.
Në stadiumin “Loro Boriçi” do të zhvillohet sfida tjetër gjysmëfinale. Egnatia vjen e avantazhuar në këtë ndeshje, pas triumfit në sfidën e parë në “Arena Egnatia” me rezultatin minimal 1-0, ndërsa kuqeblutë kanë si synim përmbysjen për të shkuar në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë.