Skënderbeu synon ta festojë përballë Kukësit titullin këtë të diel, pesë javë para përfundimit të kampionatit.

Titulli i 8-të do të vijë, edhe nëse nuk fitohet në këtë raund, megjithatë, përtej rekordeve për t’u thyer për Skënderbeun, e në veçanti për Ilir Dajën një festë ndaj Kukësit ka simbolikë të veçantë.

Nuk bëhet fjalë thjesht për takimin ideal të dorëzimit të stafetave nga kampionët në fuqi te kampionët e ardhshëm, por pikërisht te ajo finale e sezonit të kaluar, kur festonte Kukësi.

Fitonte 2-0 një ndeshje të destinuar për të gjeneruar shumë polemika për vendimet e Enea Jorgjit dhe kartonin e kuq në duart e Hamdi Salihit që kthehej në një imazh ikonik të finales.

Kukësianët kanë deklaruar se shkojnë në Korçë për të mos ua dhënë kënaqësinë e festës vendësve që këtë javë, nga ana tjetër Skënderbeu as ka ndërmend të zhgenjejë tifozët e tij, që pritet të mbushin plot e përplot stadiumit për të festuar bashke me “heronjtë” e tyre.

Përballja mes dy skuadrave më në formë të Superiores do të nisë në orën 19:00.

3 orë më herët, pikërisht në 16:00, do të zhvillohen dy sfida tejet të rëndësishme për mbijetesën, Vllaznia-Laçi dhe Teuta-Kamza.

Në “Loro Boriçi” shkodranët do të luajnë “finalen” e radhës për qëndrimin në Superiore përballë kurbinasve, që Europën ndoshta e kanë më të thjeshtë për ta arritur nëpërmjet Kupës, trofe që do ta bëjnë të tyrin nëse mposhtin Skënderbeun në finale.

Në ta kundërt, vetëm vendi i katërt, që aktualisht mbahet nga Partizani me 46 pikë, do t’u hapte dyert e Europës.

Kuqeblutë kanë gjithashtu një shans të artë për të përfituar për faktin se dy rivalët e mbijetesës, Teuta dhe Kamza, do të përplasen mes tyre në “Niko Dovana”.

Sigurisht që sfida që do të luhet në Durrës do të vendosë shumë sa i përket skuadrës që do të shoqërojë Lushnjën në Kategorinë e Parë.

Teuta ka 33 pikë, 4 më pak se Kamza, por, nëse fiton vë në presion kamzalinjtë, për të cilët ndeshja e “Niko Dovanës” përcakton në përqindjen më të madhe nëse do të arrijnë të mbijetojnë në Superiore.