Ashtu siç edhe pritej, ditën e djeshme, në mënyrë zyrtare, kanë nisur punimet në stadiumin e Kukësit, i cili pritet që të përfundojë në kohë rekord. Ishte folur prej ditësh, e sidomos pas hapjes rrugë, në mënyrë proceduriale, nga ana e Bashkisë së Kukësit, e cila miratoi projektin, se fillimi i punimeve nuk do të vononte. Kështu, dje paradite, në prani të zyrtarëve më të lartë të pushtetit lokal të kryesuar nga kryebashkiaku Hasan Halilaj, presidentit të kësaj skuadre Safet Gjici, por edhe të mediave, fillimisht është nënshkruar kontrata mes palëve, ku ky i fundit ka marrë përsipër gjithë investimin për këtë impjant sportiv, e më pas me prerjen e shiritit, ku edhe kanë nisur punimet. “ Ne sot jemi këtu për të nisur zyrtarisht punimet për stadiumin e qytetit të Kukësit. Ky stadium do të jetë modern dhe do ketë gjithë kapacitetin dhe aksesorët e duhur për t’u liçencuar nga FSHF-ja dhe UEFA. Ne, në bashkëpinum dhe me bashkinë do ta përfundojmë para 1 shatorit , kur dhe është afati që nisin aktivtetetet e Superligës. Nga ana tjetër ne po formatojmë dhe ekipin e ri,  që do përfaqësojë Kukësin në Superligë. Do kemi në përbërje lojtarë cilësorë të Kukëësit nga sezoni i kaluar, por edhe emra të njohur të Superligës, ku nuk do të mungojnë dhe futbollistët më cilësorë të kampionatit kosovar, që do të bëhen pjesë e jona. Jemi të bindur dhe të vendosur se këtij qyteti, por jo vetëm, por të gjithë kuksianëve, apo tifozëve të skuadrës tonë, kudo që janë, do t’u dhurojnë kënaqësi pafund në sezonin e ri, ku ne do të jemi për herë të parë në Superligë“, ka thënë presidenti i Kukësit Safet Gjici.  Kurse i pari i këtij qyteti e ka konsideruar fillimin e punimeve për stadiumin e ri, një ditë historike. “Fillimi i punimeve për ndërtimin e stadiumit të qytetit është një ditë historike për kuksianët. Përtej të qenit stadium i Kukësit , ku stadium do mbledhë Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin , tre kryeqytet shqiptare që janë nga një orë e gjysëm larg Kukësit” , është shprehur gjatë kësaj ceremonie kryetari i Bashkisë së Kukësit Hasan Halilaj. Fillimisht ndërtimi i këtij stadiumi do të financohet tërësisht nga presidenti Safet Gjici, por që nuk do të mungojë dhe mbështetja e ndonjë donatori tjetër, dhe më pas kjo shumë do të kompensohet nga bashkia e qytetit, me kalimin e kohës, kur ajo të arrijë të sigurojë fondet e duhura nga burime të ndryshme. Ky investim kap shifrën e 78 milion lekësh të rinj, ku mendohet që stadiumi të ketë një kapacitet prej 5 mijë vendesh dhe kushte shumë komode për skuadrat, gazetarët, arbitrat e të tjerë.

www.shkodrasport.com