Besëlidhja, me në krye trajnerin Sinan Bardhi, vijon stërvitjen intensive në kuadër të fazës përgatitore. Të shtunën lezhjanët barazuan pa gola në miqësoren e parë, ku përballë kishin Laçin e Superiores.
Besëlidhja do të nisë sezonin e 13-të radhazi në nivelin inferior, madje një sezon ka qenë në Kategorinë e Dytë, ku drejtohej nga trajneri aktual, Sinan Bardhi, duke e kthyer në të Parën.
Merkatoja e kësaj vere ka sjellë pak futbollistë në Lezhë, portierin Erind Selimaj dhe mesfushorin Stivi Shaba, të tjerët që i janë bashkuar grupit janë futbollistë të dalë nga moshat.
Drejtuesit e skuadrës kanë në plan të afrojnë edhe dy futbollistë cilësorë, por ende nuk kanë emra konkretë. Objektiv për sezonin e ri është ngjitja në Superiore, ndërsa për këtë javë është planifikuar një miqësore me Erzenin.